Të nderuar kolegë deputetë!
Sot ne jemi në një moment ku më shumë se përkatësia jonë politike duhet të vlerësojmë pozicionin tonë si qytetarë, më shumë se të djathtë dhe të majtë, të kuptojmë se kemi detyrim për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin dhe historinë e vendit dhe kryeqytetit tonë.
-A duhet të pranojmë që Parlamenti të shndërrohet në institucionin i cili duhet të legjitimojë përdhosjen e Kushtetutës, duke e kthyer në një letër pa vlerë??
-A duhet të pranojmë që qeveria të realizojë puçin Kushtetues të shkatërrimit të Gjykatës Kushtetuese, qëllimisht, duke marrë dhe kontrolluar gjithë kompetencat e kësaj gjykate nga ana e qeverisë dhe Kryeministrit??
-Të pranojmë që kjo qeveri, nëpërmjet Parlamentit të votojë Ligje antikushtetuese, sepse nuk ka një gjykatë që të gjykojë kushtetuetshmërinë e tyre??
-A duhet që sot të dhunojmë përfundimisht pronën publike, t`i japim të drejtë qeverisë që pronën publike, pronën e shqiptarëve ta trajtojë sikur të jetë pronë private e qeverisë, kryeministrit dhe klientëve të saj??
– A duhet që parlamenti të pranojë shkeljen e ligjit e Kushtetutës, duke shpërfillur atë që me ligj dhe Kushtetutë i takon pushtetit lokal, i takon Këshillit të të zgjedhurve lokalë, sepse kështu e do pazari i kryeministrit me kryebashkiakun??
-A mundet mbi të gjitha që interesi politik të na mbyllë sytë dhe verbërisht vlerat historike dhe kulturore të kryeqytetit tonë t`i shkatërrojmë për të parin e partisë, sepse nesër ka në dorë karrigen tuaj të deputetit??
Të pranojmë që makuteria e parasë, investimi dhe pastrimi i parave të drogës, korrupsioni qeveritar, kanë më shumë vlerë se gjithë jeta dhe historia e kultura jonë??
-A duhet sot të legjitimojmë Kryeminisitrin, i cili konsideron llum njerëzit e Artit dhe kulturës, fyen, urren dhe përcmon artistë, intelektualë dhe qytetarë të vendit tonë, fyen e përcmon Parlamentin, gjithësecilin nga ju??
-A mund të pranojmë Ne që për interesa, politike, korruptive, kriminale të shkatërrojmë, t`i vendosim shkelmin e fundit parlamentarizmit shqiptar??
Të nderuar kolegë deputetë!
Sot nuk shtrohet çështja se do kemi dhe ku do jetë Teatri Kombëtar, e cila padyshim ka rëndësi, por sot më e rëndësishme është se a duam të kemi kryeqytet me vlerat dhe historinë e tij, apo kulla e ndërtime, të cilat mbysin jetën dhe të ardhmen e vendit tonë, do kemi një qeverisje kushtetuese apo një Shtet të kapur nga interesa antishqiptare, kriminale dhe korruptive.
Asgjë nuk po ndodh rastësisht:
Së pari çdo veprim i sotëm e ka burimin tek fshirja e qëllimshme e historisë dhe punës së këtij vendi.
Që në fillim Rama ka thënë se në keto 27 vite nuk është bërë asgjë, asgjë nuk ka vlerë. Ka mohur dhe mohon këto vite të demokracisë, të përpjekjeve të jashtëzakonshme të shqiptarëve për të lënë mbrapa historinë e dhimbshme dhe të errët të diktaturës.
Së dyti pushteti, kanabizimi, droga paraja kërkojnë të përjetësohen në këtë vend nëpërmjet kontrollit të politikës, kërkojnë dhe po diktojnë rezultatin e zgjedhjeve, kontrollojnë biznesin, zbrazin Shqipërinë dhe t`ja bëjnë jetën të pamundur çdo qytetari që nuk e pranon këtë qeveri, duke i lenë të vetmen rrugë, largimin nga ky vend.
Në çdo vend demokratik ligjet bëhen për të garantur barazinë e qytetarëve përballe ligjit dhe jo ligje për individë të veçantë.
Në çdo vend Europian bëhen ligje dhe caktohen fonde për të ruajtur historinë dhe kulturën dhe jo shkatërrimin e tyre, siç po bëhet me kompleksin historik të Teatrit Kombëtar.
As më shumë as më pak kjo qeveri bën ligje jo për qytetarët por për interesat e saj korruptive e politike, s`ka aspak dallim nga diktatura e cila me ligj konfiskoi pronën, vrau qindra mijëra shqiptarë, kundërshtarë politikë, duke folur në emër të popullit.
Atje në Turqi qytetarët u ngriten kundër idhullit të kryeministrit tonë sepse donte të shkatërronte një lulishte për ndërtime.
Kolegia depuete Jorida Tabaku dëshmoi me fakte jo vetëm se toka është publike, por edhe me tepër se kaq, me distinacion të përcaktuar për teatër.
Nuk ka asnjë qëllim qeveria për të ndërtuar teatër, por për të realizuar biznesin e vet të përfitimit korruptiv, duke degjeneruar shtetin në shërbim të interesave të individëve me pushtet dhe pranë pushtetit.
Nuk ka asnjë qëllim për t`i mundësuar artistëve një ambient modern të përshtatshëm, sepse artistët për Kryeministrin janë llum, llafazan dhe të pavlerë.
Qeveria prej kohësh e ka nisur planin për shkatërrimin e Teatrit, prej 20 vitesh, prandaj ndërtoi edhe Teatrin Turbina që të largonte artistët prej teatrit dhe të realizonte qëllimet e veta.
Është Edi Rama dhe jo ligji apo interesi publik, që përcaktojnë zhvillimin e projekteve në vend,
Janë ata njerëz që mbrojtën me zjarr Piramidën, si kujtesë e diktatorit, që sot dalin në mbështetje të qeverise për shkatërrimin e teatrit, piramida ka vlerë historike dhe arkitekturore për ta sepse mban gjallë memorien e komunizmit, ndërsa teatri jo, ai duhet shkatërruar.
Qeveria kërkon të shmangë përgjegjësitë e veta ligjore penale, prandaj kërkon të përdorë sot Parlamentin, kërkon që turpin dhe krimin e saj t`ja veshë Parlamentit.
Kjo qeveri e cila pretendon se ka investuar qindra miliona pa fund në emer te sjelljes në identitet të qëndrave të qyteteve, për çudi nuk ka fonde për qendrën e kryeqytetit, për historinë dhe kulturën e vendit tonë.
Nëse pranojmë për një çast se nuk do mund të rikonstruktohej si teatër modern, me investime publike kjo qendër historike, ajo mund të ruhet dhe rehabilitohej si qendër e vlerave të Tiranës, kulturës, historisë dhe respektit për artistët tanë të mëdhenj të artit dhe skenës, të cilët në ditët e zeza të komunizmit na jepnin të vetmen mundësi për t`u ndjerë njerëz, të cilët të varfër në para, por të pasur në shpirt dhe mendje kanë qenë frymëzim në këto vite me artin e tyre. një procedure të veçantë që përcakton ky projektligj.
Projektligji bie ndesh me Kushtetutën, ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, si dhe ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Ky ligji shmang detyrimet që burojnë për institucionet shtetërore nga legjislacioni në fuqi për realizimin e një projekti sipas procedurës së partneritetit publik-privat, si dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Ky akt është aferë e pastër korruptive, ku shteti harton ligje për interesa të një projekti privat.
Të nderuar kolegë depuetë!
Ne duhet të hedhim poshtë këtë ligj në emër të historisë dhe vlerave të kryeqytetit tonë.
Ne duhet të hedhim poshtë me përbuzje këtë ligj antikushtetues, i cili poshtëron Parlamentin, duke e kthyer në noter të korrupsionit qeveritar
Ne duhet ta hedhim poshtë në respekt të jetës, sakrificës së artistëve që kanë lenë dhe lidhur jetën në ate teatër.
Zullumi këputet me te trashur dhe kjo qeveri nuk po njeh kufi në zullumet e saj dhe Ne nuk duhet të bëhemi pjesë e këtij zullumi.
Para 1 jave BE na refuzoi dhe na vendosi kushte të reja rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti përfundimin e të gjitha dosjeve prioritare dhe finalizimin e krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashikohet nga reforma kushtetuese.
Rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme, duke u fokusuar në veçanti në :
-Reformat Gjyqësore:
Korrupsioni dhe krimi i organizuar
Të japë rezultate të mëtejshme të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, në veçanti kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave.
Finalizimin e krijimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Gjykatës;
Kjo përfshin:
-Forcimin e bilancit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe nivelet e larta.
-Të japë rezultate të mëtejshme të prekshme në luftën kundër korrupsionit, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformës.
-Të kryejnë hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe në nivele të larta.
Droga
– Të japë rezultate të mëtejshme të prekshme në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave në veçanti.
Zgjedhjet
Këshilli i kushton një rëndësi të veçantë adresimit të rekomandimeve të pazbatuara të OSBE/ODIHR.
Kërkesat e pabazuara për azil
– Këshilli vë në dukje pozitivisht përpjekjet në rritje të Shqipërisë për të vendosur masa efektive që synojnë të luftojnë rrjedhën e lartë të kërkesave për azil që duken të pabazuara, të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në shtetet e Shengenit. Këto masa duhet të ndiqen më tej, së bashku me bashkëpunimin dhe dialogun e vazhdueshëm me vendet më të prekura, derisa të arrihen rezultate të qëndrueshme.
– Këshilli gjithashtu i kushton një rëndësi të veçantë përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë në zvogëlimin e numrit të kërkesave për azil që duken të pabazuara dhe gjithashtu i kërkon Komisionit të sigurojë që kjo të merret parasysh.
Reforma e administratës publike.
Rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme, duke u fokusuar veçanërisht në:
– reformën e administratës publike.
Reforma e shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë.
Rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme, duke u fokusuar veçanërisht në:
– reformën e shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë.