Edit

Një Parti një Familje një Komb
E ardhmja Europiane!

Na kontaktoni

Mblidhet Asambleja Kombëtare: Nuk regjistrohemi në KQZ

Mblidhet Asambleja Kombëtare: Nuk regjistrohemi në KQZ

Partia Republikane thirri në një mbledhje urgjente Asamblenë Kombëtare për të dalë me një vendim unanim në prag të limiteve të fundit kohore për regjistrimin në KQZ. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Republikane, zoti Fatmir Mediu shprehu edhe një herë qëndrimin e kryesisë së Partisë në lidhje me situatën e paprecedentë që po kalon vendi, ku vriten komisarë policie, zbulohen magazine me tonelata hashash dhe deti nxjerr cdo ditë trupa skafistësh, të mbytur në linjat e narkotrafikut. “Qëndrimet e Partisë….…….. Republikane, por edhe të opozitës në tërësi, janë përtej vijës ndarëse me maxhorancën e inkriminuar dhe të korruptuar. Ne duhet të bëjmë cdo përpjekje që të ndalojmë influencën e parave të drogës në zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që Rama të mbajë pushtetin falë bandave. Nuk duhet të qeverisin banditët dhe trafikantët, por qytetarët dhe ata duhet të shkojnë të votojnë të lirë dhe të qetë. Vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme ne mund të pranohemi në familjen evropiane. Ne nuk mund të pranojmë asnjë zë që të na thotë se duhet të ulim kokën përpara pushtetit të Ramës dhe ta mbajmë atë në karrige për t’u tallur me shqiptarët” u shpreh zoti Mediu.

 

Në këtë takim kishin ardhur për të përshëndetur edhe Jan Zahadril, Presidenti i Aleancës Konservatore dhe Reformiste Evropiane, Daniel Hannan, sekretar i përgjithshëm i Aleancës Kombëtare dhe Reformiste Evropiane, si dhe ish-kongresmeni Bob McEwen, tashmë President I Këshillit për Politikat Kombëtare në SHBA.

 

Në fjalën e tyre, që të tre politikanët e huaj, shprehën bindjen e thellë se shqiptarët dhe veçanërisht opozita duhet të bëjë çdo përpjekje që të ndalohet manipulimi i procesit zgjedhor dhe që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Në përfundim të këtij takimi, të gjithë të pranishmit në Asamblenë Kombëtare, votuan në mënyrë unanime kundër regjistrimit të PR-së në KQZ për zgjedhjet.

 

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të Partisë Republikane, zotit Fatmir Mediu:

 

Të nderuar zonja e zotërinj.

 

Dje ishte një ditë e veçantë  për familjen tonë politike. Partia Republikane tashmë është anëtare me të drejta të plota e Konservatorëve Europianë, grupi i tretë më i madh në Parlamentin Europian. Patëm miq nga 33 vende të Europës dhe SHBA, kjo është ndihmë e madhe.
Të gjithë ndamë një bindje, se baza e çdo shoqërie demokratike është individi, qytetari me të drejtat e tij, për të cilat Shteti ka një detyrim të padiskutueshëm t`i respektojë dhe t`i shërbjë me përkushtimin maksimal.

Që të garantohet një qeverisje e tillë, pushteti i politikës, vjen nga qytetarët, me qytetarët, për qytetarët. Pra janë qytetarët ata që vendosin.

Transformimi i regjimeve komuniste në regjime autokratike dhe të kontrolluara e të lidhura me krimin dhe korrupsionin, janë tashmë rreziku i vërtetë që i kanoset shqiptarëve.

Ku po shkojmë? Jemi tashmë të parët në trafikun dhe kultivimin e Marijuanës, po ashtu vendi tranzit i drogave të forta.

Dje u vra një Ish komisar policie z Cuku një njeri që i shërbeu shtetit dhe rendit, i cili u hodh në rrugë nga shteti që i shërbeu.

Po dje gjendet një magazinë me tonelata kanabis.

Jemi vendi kur krimi i organizuar i lidhur me krimin ndërkombëtar është një rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por gjithë rajonin.

Jemi i vetmi vend që kemi një ligj dekriminalizimi për shkak të përfshirjes së krimit në strukturat shtetërore.

Jemi i vetmi vend anëtar i NATOs që nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Si opozitë kemi vendosur se mbi çdo interes politik, apo qeverisës, qëndron e drejta e shqiptarëve që të vendosin të ardhmen e tyre, nëpërmjet votës, nëpërmjet një proçesi të lirë dhe të ndershëm.

Kjo lëvizje e opozitës është me një rëndësi jetike për çdo qytetar, për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që jetojnë.

Prandaj kjo është një luftë e vështirë që merr fund kur të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Ne kemi kërkuar një qeveri teknike me mandat të përcaktuar, e cila do të garantojë:

 

  • Implementimin e ligjit të dekriminalizimit.

 

  • Ndërprerjen e marrëdhënieve të shtetit me krimin e organizuar dhe trafikantët e kanabisit dhe drogës

 

  • Do të vendosë një kontroll të plotë mbi paratë e krimit dhe të drogës, duke ndaluar përdorimin e tyre në zgjedhjet parlamentare.

 

  • Vendosjen dhe ndryshimet ligjore për të garantuar standartet e Kopenhagenit për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Ne kemi tri rrugë:

 

  • Të ulim kokën e shqiptarëve dhe të shkojmë në zgjedhje, të nështrohemi si opozitë dhe për pasojë krimi të kontrollojë më shumë se sot shtetin, institutcionet dhe jetën e të ardhmen tonë. Kjo do krijonte një krizë të rëndë me pasoja për Shqipërinë dhe të ardhmen tonë Europiane.

 

  • Të shkojmë të ndarë në zgjedhje. Pra qeveria, Partia Socialiste të shkojë në zgjedhje siç thotë, duke vendosur në Shqipëri jo vetëm një qeverisje të korruptuar, por një autokraci e cila vështirë se ndryshohet me zgjedhje. Kjo do ketë pasoja fatale mbi shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku ata jetojnë.

 

  • Rruga e tretë është marrëveshja për qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo është fitorja e shqiptarëve dhe të ardhmes sonë Europiane.

 

Nesër mbaron afati i rregjistrimit të Partive.

 

Partia Republikane si parti e opozitës ka vendosur bashkë me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera, se nuk do të regjistrohet në këto zgjedhje për sa kohë nuk do të vendoset qeveria teknike.

 

Shqipëria duhet dhe do të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme.