Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se votimi me 3/5 i krerëve të institucioneve kushtetuese çimenton kontrollin politik të gjyqësorit.
Mediu tha se “Do ishte mirë që të lexohen drejt rekomandimet e Venecias, e para nevoja për një konsensus politik. Ne jemi ulur këtu për të realizuar një konsensus politik sepse nuk mund të votohet ndryshe as drafti pa pasur 2/3. Kërkojmë të kemi një mirëkuptim politik për të përcjellë si ndryshimet kushtetuese edhe reformën në gjyqësor me 2/3. Ajo që shikoj si problematike në atë që përcjellin ekspertët në këtë draft është se nëse na kërkoni ne që të japim konsensusin politik për 2/3 për ta votuar draftin shkoni në një pikë ku thoni se nuk keni më nevojë për 2/3 por 3/5 që i ka kjo mazhorancë dhe i dimë si i ka bërë këto 3/5 për të votuar për mënyrën e organizimit, funksionimit dhe emërimit të proçesit gjyqësor. Të tre këto elementë shumë të rëndësishme për pavarësinë e gjyqësorit mbeten në dorën e një mazhorancë, nuk ka rëndësi është e majtë apo e djathtë. Venecia ngre shqetësimin se nuk duhet të jenë produkt i një mazhorance. Ekspertët e dinë shumë më mirë se ligjet e votuar me 2/3 apo 3/5 nuk kanë të bëjnë thjesht me numrat, por me qëndrueshmërinë sepse efektojnë pjesën më të madhe të shoqërisë. Me 3/5 jo vetëm që nuk garantohet pavarësia por çimentohet një lloj kontrolli politik i pushtetit gjyqësor”.