Ditën e djeshme koalicioni “Aleanca për Ndryshim” hapi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit duke u bazuar në një program politik vizionar dhe konkret.
Në vazhdën e takimeve, kryetari i Partisë Republikane dhe njëkohësisht kandidati Nr.7 për deputet i “Aleancës për Ndryshim” zhvilloi një takim me qytetarë dhe biznese të njësisë nr.3 në Tiranë. Në fjalën e tij z.Mediu theksoi se zgjedhjet e 25 Prillit janë të një rëndësie historike për t’i dhënë fund shkatërrimit të shtetit, kolapsit të ekonomisë dhe familjes nga regjimi i korruptuar i Edi Ramës.
Në takimin e tij me qytetarët kandidati Mediu e vuri theksin tek ndërtimi i një ekonomie të fortë dhe funksionale duke luftuar korrupsionin dhe padrejtësitë të shkaktuara nga qeveria Rama dhe që po shkatërrojnë shtetin dhe familjen shqiptare.
“Ky është një regjim antishqiptar, kundër familjes dhe kundër njeriut. Mbi 70% e të rinjve duan të largohen. Kjo qeveri nuk ka lënë shpresë për vendin, po e dëbon rininë masivisht.”
Mediu gjatë takimit u shpreh se Aleanca për Ndryshim duhet të fitojë për të sjellë qeverisjen, lirinë, dinjitetin, ekonominë dhe mbështetjen që shqiptarët duan dhe meritojnë. Ai u ndal dhe analizoi marrëdhëniet me Kosovën, që janë dobësuar ndjeshëm gjatë qeverisjes së Ramës dhe vonesat në integrimin evropian që kanë ardhur si shkak i korrupsionit të lartë të kësaj qeverie dhe mungesës së drejtësisë.
“Kemi të gjitha kualitetet për të garantuar të ardhmen tonë, atë që duam. Kjo është një luftë e çdo qytetari për të mos e lejuar shitjen e votës, por për të votuar me dinjitet dhe për një të ardhme më të sigurt.”
Qytetarët u shprehën se taksat e larta në një treg me paga kaq të ulëta janë shumë shqetësuese dhe se shpresa e tyre e vetme qëndron tek programi i koalicionit “Aleanca për Ndryshim” dhe plani i saj për ringritjen e ekonomisë.
Z.Mediu u shpreh para qytetarëve se me taksën e sheshtë 9% bizneset do të mbështeten më shumë dhe se çdo qytetari do t’i garantohen më shumë të ardhura, dhe se taksat e ulëta garantojnë një administrim më të drejtë në xhepat e qytetarëve, se sa administrimin për interesa korruptive që bën Rama.
Ai e mbylli takimin e tij duke u bërë thirrje qytetarëve që të jenë një zë fuqishëm i së drejtës dhe shpresës duke votuar me 25 prill, nr.7 në koalicionin “Aleanca për Ndryshim”, zgjedhjen më të sigurt për çdo shqiptar.