Të nderuar kolegë deputetë!
Ne jemi këtu për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.
Një gjë duhet të na bashkojë ne deputetët, pozitë dhe opozitë.
Jemi këtu se njerëzit kanë votuar.
Jemi këtu për të mbrojtur të drejtat e tyre bazë, si Liria dhe Prona.
Jemi këtu me detyrimin kushtetues t`i tregojmë qeverisë, se pushteti i saj ka limit dhe ky limit me Kushtetutë është respektimi i të drejtave të qytetarëve.
Jemi këtu të nderuar kolegë deputetë, për t`i treguar qeverisë qëndrore e lokale që nuk janë ata, as ne, por Zoti
që u ka dhënë qytetarëve tanë të drejtat, dhe ne kemi detyrimin për t`i respektuar.
Por a po ndodh kjo në Shqipëri??
A janë qytetarët dhe interesat e tyre të parat apo interesi politik klinetelist dhe korruptiv që dikton qeverinë??
A respektohen të drejtat e qytetarëve??
A ka siguri juridike në Shqipëri??
Pse Shqipëria po shkon drejt varfërisë pa u ndaluar??
Pse bizneset vendase dhe të huaja largohen nga Shqipëria??
Pse kapitalet largohen drejt vendeve të rajonit??
Si ka mundësi që vende më të vogla me mundësi më të vogla si M.Zi dhe Maqedonia kanë investime serioze dhe Shqipëria jo??
Pse Dhoma Amerikane apo ajo Gjermane deklarojnë se Qeveria është kundër biznesit??
Shumë nga këto e kanë përgjigjen:
Të vetmet investime që po propagandohen me bujë është blerja e investimeve strategjike nga kompani Kineze. Unë nuk jam kundër tyre, por ky është vend anëtar i NATO-s, interesat tona të sigurisë nuk kanë të bëjnë vetëm me rreziqet e luftës por dhe me zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, sidomos në sektorët e rëndësisë së veçantë si telekomunikacioni dhe energjia.
Qeveria mendon që është pronare e gjithçkaje, e jetës, lirisë dhe pronës së shqiptarëve.
Qeveria me dhunë tregon se ajo mund të bëjë çfarë të dojë, të marrë atë që është e ligjshme dhe t`jua japë të paligjshmëve.
Para disa ditësh, solla në vëmendje të opinionit një situatë të papranueshme që po ndodh në Jug.
Qeveria po kërkon të shtetëzojë pronat e banorëve të Dhërmiut, pronarëve të ligjshëm, me pretendimin se ata nuk kanë zbatur ligjin 7501, sepse e kanë ndarë tokën fshatçe në kufijtë e vjetër, duke repsektuar pronën e atyre që e kanë trashëguar.
Në mbi 60% e shqiptarëve e kanë ndarë tokën fshatçe, kanë respektuar të drejtën e pronës që nuk e respektoi Shteti.
Pse kjo bëhet në Jug, në perlën e Shqipërisë, dhe jo në zona të tjera?? Përgjigja është e thjeshtë sepse intersat financiare të klaneve korruptive janë shumë të mëdha.
Banorët e Dhërmiut dhe Himarës, janë mbledhur dhe kanë vendosur të mbrojnë pronën e tyre, atë pronë që prindërit dhe gjyshërit e tyre e ndërtuan pëllëmbë më pëllëmbë me punën dhe gjakun e tyre.
Përfaqësues të Kongresit Amerikan, tashmë kanë shprehur shqetësimin e tyre për këto zhvillime në Shqipëri, ashtu siç e ka shprehur Departamenti Amerikan i Shtetit, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës.
Padrejtësitë e qeverisë shqiptare, Gjykata e Strazburgut po i gjykon rast pas rasti dhe janë me qindra million Euro dhe më shumë, që qeveria duhet t`i paguajë, por ato nuk i paguan Qeveria nga xhepi i vet, ato rëndojnë dhe i merren çdo shqiptari, çdo familjeje shqiptare, sepse qeveria legalizon të paligjshmen, rend me tapi në dorë, sepse nuk i sheh pronarët si njerëz që kanë të drejtat e tyre, por si numra elektoralë, si vota.
Dikur komunizmi i shpalli kulak, i futi në burgje, por nuk guxoi t`ja tjetërsonte, pra jemi më keq dhe se në komunizëm.
Kur pronarët shkojnë në gjyq, qeveria i bën presion gjyqtarit.
Kur Strazburgu vendos standartin Europian në respekt të pronës, qeveria shkon dhe thotë që Strazburgu duhet të ndalojë vendimet.
Qeveria jonë mendon se mund ta bëjë Strazburgun si Tiranën dhe jo Tiranën si Strazburgu.
Miratuat një ligj antikushtetues dhe nuk u ndalët këtu dhe pse vetë pranuat jo kushtetutshëmrinë e ligjit, pasigurinë dhe pabarazinë juridike, por për më keq, publikisht bëtë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, qeë të mos respektojë të drejtat e qytetarëve, por interesat e qeverisë.
Ju thoni se mbroni të drejtat e publikut; kujt publik? Atij që është në qeveri??! Po 87% e shqiptarëve që kanë qënë pronarë si ato familjet në Dhërmi, Dukat, Lezhë, Korçë e mbarë Shqipërinë, a nuk janë interes publik???
Po ashtu në emër të publikut nuk ndaleni përballë asnjë të drejte, asnjë pronari, asnjë biznesi të ligjshëm.
Pronat publike dhe shërbimet publike ja jepni privatëve, klientëve, në emër të zhvillimit, ndërsa pronat private i bllokoni të zhvillohen, në emër të publikut.
Komunizmi shpronësoi dhe burgosi në emër të popullit, po të njëjtën gjë po bëni dhe ju.
Në emër të popullit u varfëruam dhe arritëm në kufijtë e mbijetesës dhe egzistencës për 45 vjet.
Dje mblidhej Këshilli i Lagjes dhe përcaktonte armikun dhe tradhëtarin dhe urdhëronin gjyqtarin të dënonte të drejtin, duke brohoritur, tradhëtari në litar.
Po njësoj sot thërrisni punonjës, deputetë dhe i bëni gjyqin biznesit, pa hyrë në diskutimin se kush ka të drejtë, por duke njohur dhe duke bërë transparencë me atë çka po ndodh në Tiranë.
Sot mblidheni punonjës, deputetë, ndërtues me në krye Kryetarin dhe i kërkoni Gjykatës të vendosë si doni ju.
Në ç`vend të NATOs dhe që kërkon të bëhet anëtar i BE-së, ndodh që qeveria të bëjë gjyq publik përballë Gjykatës, të rrethojë Gjykatën.
Presion Presidentit, Presion Gjykatës Kushtetuese, Presion dhe rrethim Gjykatës Administrative.
Kjo ka dy qëllime:
Njëra t`u thoni gjyqtarëve që duhet të bëjnë vetëm si doni ju, përndryshe me Reformën në Drejtësi do i largoni, si dhe t`u thoni shqiptarëve se kur ju nuk pyesni për Presidentin, Gjyqësorin, ju jeni Zot dhe nuk pyesni për asnjë nga ata, jeni të paprekshëm dhe ata duhet të pranojnë fatin e tyre.
Ne po punojmë dhe kërkojmë të miratojmë Reformën në Drejtësi.
Opozita ka kërkuar një reformë që garanton një gjyqësor të pavarur, të pakorruptuar por mbi të gjitha të shmangim kontrollin politik mbi gjyqësorin.
Presioni politik mbi gjyqësorin, presioni mbi biznesin dhe mbi pronarët e ligjshëm, po e kthejnë Shqipërinë në kohët e saj më të errëta.
Po e mbyll me një thënie nga Presidenti Lincoln:
“Prona është fryt i punës … prona është e dëshirueshme … është një e mirë pozitive në botë. Fakti se disa janë të pasur, tregon se dhe të tjerët mund të bëhen të pasur, është vetëm inkurajim për industrinë dhe sipërmarrjen.
Le të bëjmë të mundur që ai që është i pastrehë të mos hedhë shkatërrojë shtëpinë e tjetrit; por që përmes punës me zell të ndërtojë një të tillë për veten e tij, për të siguruar që të jetë i sigurt nga dhuna kur ai ta ndërtojë atë”.
Prona private, biznesi, janë ato që do e çojnë Shqipërinë përpara dhe qeveria është kundër tyre.